Ndërlidhjet

SHBA përkrah Thaçin e Vuçiqin dhe "mbështetet në zgjuarësinë" e Mogherinit


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott, tha se presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, e kanë ndihmën e Amerikës në kërkim të një zgjidhjeje paqësore të mosmarrëveshjeve, porse SHBA mbështetet në zgjuarësinë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Mogherini është ndërmjetësuese e dialogut midis Thaçit dhe Vuçiqit.

Scott, në një konferencë në Beograd për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, tha se ekzistojnë "tri çështje kritike në rajon": dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, kontesti i emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe mbajtja e Bosnje dhe Hecegovinës shtet.

"Lajm i mirë është se këto probleme nuk janë të pazgjidhshme. Shohim guxim te liderët e Maqedonisë dhe Greqisë. Përparimi në Bosnje nuk është aq i shpejtë. Në Beograd shohim lëvizje të reja sa i përket marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve (me Kosovën). Shpresojmë se zgjidhja e pranueshme dhe e qëndrueshme do të gjendet shpejt", tha Scott, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Thaçi dhe Vuçiq kanë shpalosur së voni idenë e ndryshimit të kufijve, si zgjidhje e mundshme e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Mogherini ka thënë se çdo zgjidhje është e pranueshme përderisa është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG