Ndërlidhjet

LDK: Zgjedhjet janë të paevitueshme


Prishtinë
Prishtinë

Institucionet e Kosovës nuk kanë legjitimitet dhe qeveria aktuale duhet të largohet sa më parë nga pushteti, thanë zyrtarë të partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës pas një mbledhjeje që mbajtën të hënën.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, dhe shefi i Grupit Parlamentar të deputetëve të këtij subjekti politik në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti, thanë se janë në konsultime të vazhdueshme me subjektet politike që të përgatisin mocionin e mosbesimit për Qeverinë e kryeministrit Ramush Haradinaj.

"Vendi është në një krizë edhe politike, edhe institucionale. Këto institucione nuk kanë legjitimitet as politik dhe as kushtetues dhe nuk kanë mundësi të udhëheqin me tema që janë të ndjeshme për Kosovën dhe që janë në interes për të gjithë qytetarët", tha Veliu.

Hoti, në anën tjetër, tha se opozita është mjaft e fuqishme për të mos lejuar marrjen e, siç u shpreh, "vendimeve të dëmshme" nga institucionet.

"Ne besojmë se ka ende fuqi për t'i ndalur këto veprime. Duhet t'i shterim të gjitha rrugët institucionale", tha Hoti.

Për dialogun Kosovë-Serbi, zyrtarët e LDK-së thanë se ai duhet të udhëhiqet nga një qeveri e fuqishme “me bazë të gjerë”.

Hoti tha se Qeveria e Kosovës nuk mund ta udhëheqë dialogun dhe nuk mund ta delegojë askënd, pasi, sipas tij, Kosova ka qeveri të pakicës.

"Ky është procesi më i rëndësishëm që po kalon Kosova dhe institucionet e vendit nuk kanë legjitimitet për ta udhëhequr ketë proces. Kuvendi i Kosovës tashmë nuk i ka dhënë askujt legjitimitetin sepse nuk ka fuqi politike. Zgjedhjet janë të paevitueshme për ta nxjerrë një qeveri kredibile e legjitime që flet në emër të shumicës së qytetarëve", tha Hoti.

Partitë opozitare e refuzojnë propozimin e Qeverisë së Kosovës për ekipin negociator për dialogun me Serbinë.

Qeveria ka propozuar që në krye të këtij ekipi të jetë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ndërkaq në të, opozita dhe shoqëria civile të dërgojnë përfaqësuesit e tyre.

Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues, kërkon që në fund të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila, veç tjerash, do t’iu hapë rrugë drejt integrimeve evropiane të dyja shteteve.

Që nga qershori i këtij viti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuciq, kanë përmendur idenë për ndryshim kufijsh si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis vendeve të tyre.

XS
SM
MD
LG