Ndërlidhjet

Rusia pret rritje rekorde të eksporteve të gazit në Evropë


Ilustrim
Ilustrim

Rusia tha se pret të eksportojë sasi rekorde të gazit natyror këtë vit, pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për t'i bindur vendet evropiane që të zvogëlojnë mbështetjen në gazin rus.

Zyrtarë të biznesit dhe të Qeverisë ruse thanë në një konferencë për energjinë në Moskë se eksportet e gazit rus mund të tejkalojnë 200 miliardë metra kub këtë vit, krahasuar me rekordin e vitit të kaluar prej 194 miliardësh metra kub.

Evropa vazhdon të jetë konsumatorja më e madhe e gazit rus dhe kompania ruse Gazprom kontrollon 35% të tregut të gazit në Evropë - më shumë se çdo furnizues tjetër.

Zyrtarët thanë se Rusia shpreson të rrisë pjesën e saj të tregut evropian në 40% në vitet e ardhshme.

"Evropa vazhdon të rrisë importet e gazit rus", tha ministri rus i Energjisë, Aleksandr Novak.

Shtetet e Bashkuara, prej vitesh, i kanë inkurajuar aleatët evropianë që të zvogëlojnë varësinë nga gazi rus, duke thënë se një gjë e tillë i jep Rusisë shumë më shumë ndikim mbi ekonomitë e tyre.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka qenë veçanërisht kritike ndaj projektit të përbashkët të Gjermanisë me Gazpromin për të ndërtuar një tubacion që do të bartte gazin rus përmes Detit Baltik direkt në Gjermani - duke anashkaluar Ukrainën.

Trump, në vitin 2017, ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë "mbizotëruese të energjisë" në mbarë botën.

XS
SM
MD
LG