Ndërlidhjet

Në Letoni zgjedhjet i fiton një parti e afërt me Rusinë


Letoni, 3 tetor, 2018.

Një parti miqësore me Rusinë ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare në Letoni.

Partia Harmonia, që ka mbështetjen e shumicës së minoritetit rusishtfolës në këtë shtet të Baltikut, ka fituar 19,9 për qind të votave në zgjedhjet e 6 tetorit, thuhet në rezultatet përfundimtare.

Autoritetet zgjedhore kanë thënë sot se dy partitë populiste, që mund të jenë partnerë të partisë Harmoni, partia KPV LV dhe Partia e Re Konservatore, kanë fituar 14,1 për qind, respektivisht 13,6 për qind të votave.

Partia Zhvillim, që është pro-BE dhe NATO ka dalë e katërta në zgjedhje, duke fituar 12 për qind të votave, duke lënë pas tre parti që janë momentalisht në koalicionin qeverisës së kryeministrit Maris Kuciskis.

“Harmonia ka qenë dhe do të jetë partia më e rëndësishme e Letonisë”, tha pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, Vjaceslavs Dombrovskis, kandidati për kryeministër i këtij subjekti.

Dalja në zgjedhje ishte 54,6 për qind ka njoftuar Komisioni i Zgjedhjeve.

Në të kaluarën, partitë e tjera kanë refuzuar që të hyjnë në koalicion qeverisës me Partinë Harmonia. Por, shumë vëzhgues thonë se presin që dy partitë populiste,tani do të tentojnë të formojnë koalicion me këtë parti që është e afërt me Kremlinin.

Letonia – anëtare e BE-së dhe NATO-s – ndanë 270 kilometra kufi me Rusinë. Në këtë shtet jetojnë rusë etnikë, që përbëjnë rreth 25 për qind të popullsisë.

Partitë në Letoni janë munduar që të mbajnë politikanët pro-rusë larg pushtetit, teksa shteti kërkon që të forcojë lidhjet me Perëndimin.

Në zgjedhjet e kaluara, Partia Harmonia ndonëse kishte fituar shumicën e votave, nuk kishte arritur të vinte në pushtet, pasi partitë e tjera kishin refuzuar të krijonin koalicion me të për shkak të lidhjeve me Rusinë.

XS
SM
MD
LG