Ndërlidhjet

Trump: Shkencëtarët për ndryshime klimatike kanë "agjendë politike"


Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka akuzuar shkencëtarët për ndryshime klimatike se kanë “agjendë politike”, duke vënë në dyshim nëse njerëzit janë përgjegjës për temperaturat e Tokës në rritje.

Megjithatë, Trump ka thënë se nuk beson më që ndryshimet klimatike janë shaka.

Ai i ka bërë këto komente, në një intervistë për një emision televiziv në CBS dhe vetëm pak kohë pasi shkencëtarët për ndryshime klimatike kanë bërë thirrjen e fundit për ndalimin e rritjes së temperaturave.

Sipas tyre, ndryshimet klimatike shkaktohen nga veprimet njerëzore.

Në raportin e publikuar një javë më pare, Organizata Ndërkombëtare për matjen e ndryshimeve klimatike ka paralajmëruar se bota është nisur drejt rritjes së temperaturës në 3 gradë Celsius.

Sipas shkencëtarëve, aktiviteti njerëzor ka shkaktuar rritjen për 1 gradë në temperaturën e Tokës, dhe kanë bërë thirrje të ndalohet ky trend në 1.5 gradë Celsius me “ndryshime të shpejta dhe të pashembullta në të gjitha aspektet e shoqërisë”.

Shkencëtarët kërkojnë veprim për të ngadalësuar ngrohjen globale

Përveç tjerash, Trump në intervistën e realizuar ka pretenduar po ashtu se “një ditë para” se ai të fitonte presidencën në SHBA, ky vend ka qenë në prag të “luftës me Korenë Veriore”, se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane presidenciale më 2016 në SHBA, mirëpo se edhe “Kina mund të ketë ndërhyrë po ashtu”.

Presidenti amerikan ka refuzuar të deklarojë nëse do të rikthejë politikën e ndarjes së familjeve në kufi, mirëpo ka thënë se “do të ketë pasoja” për ata që kalojnë ilegalisht në SHBA.

Trump ka përmendur edhe Christine Blasey Ford, e cila ka akuzuar gjykatësin e Gjykatës Supreme në SHBA, Brett Kavanaugh për sjellje të keqe seksuale, duke thënë se e ka trajtuar atë me respekt, ndonëse është tallur me dëshminë e saj në një tubim.

Presidenti amerikan ka thënë se “nëse nuk do të mbaja atë fjalim, ne nuk do të fitonim”.

XS
SM
MD
LG