Ndërlidhjet

Koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja i kërkohet të pranojë numrin e viktimave civile në Raka


Forcat e koalicionit të mbështetura nga SHBA-ja.

Organizata për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International ka dënuar atë që e ka quajtur “dështim të vazhdueshëm” të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të hetuar në mënyrë të duhur rolin e tij në vdekjet e civilëve në Raka, teksa ka luftuar me militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) për t’i larguar nga qyteti sirian.

Në një raport të publikuar më 15 tetor, Amnesty ka thënë se hapat e koalicionit janë “shuplakë në fytyrë” për të mbijetuarit në këtë qytet që tentojnë të rindëtojnë jetën e tyre.

“Është shqetësuese se si Pentagoni nuk duket se është i gatshëm për të kërkuar falje për vrasjen e qindra civilëve të vrarë në ‘luftën e asgjësimit’ në Raka”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Organizate, Kumi Naidoo.

“Është i paarsyetueshëm fakti si koalicioni refuzon të pranojë rolin e tij në shumicën e viktimave civile që ka shkaktuar madje edhe kur ka pranuar fajin mohon marrjen e ndonjë përgjegjësie kundrejt viktimave”.

Pentagoni në anën tjetër, që ka kritikuar metodën e kërkimit të kësaj Organizate, ka publikuar në muajin shtator një deklaratë në të cilën ka thënë se “ne vazhdojmë të kryjmë sulme me pasoja minimale në popullatë dhe infrastrukturë”.

Luftëtarët e grupit militant, Shteti Islamik kanë zotëruar më 2015 një të tretën e territorit të Irakut dhe Sirisë, duke përfshirë qytete të mëdha siç janë, Raka dhe Mosuli dhe kanë shpallur të ashtuquajturin “kalifat” islamik.

Ky grup është dënuar ndërkombëtarisht për mizoritë e kryera kundër civilëve.

Në tetor të vitit 2017, një aleancë e luftëtarëve kurdë dhe arabë, e mbështetuar nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë larguar ekstremistët e IS-it nga shumica e zonave.

Organizata Amnesty ka thënë se qindra civilë janë vrarë në betejë, shumica prej tyre si rezultat i sulmeve ajrore të koalicionit, mirëpo ky i fundit ka pranuar se është përgjegjës për vetëm 100 të tilla.

XS
SM
MD
LG