Ndërlidhjet

Lumezi: Qytetarët të lajmërojnë menjëherë çdo dhunë dhe rrezik


Kryeprokurori Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit në Kosovë, Aleksandër Lumezi iu bëri thirrje viktimave të krimit që të lajmërojnë me kohë çdo krim dhe dhunë si dhe të kërkojnë masa mbrojtëse, në mënyrë që organet e drejtësisë të merren sa më shpejt me këto raste.

Në hapje të fushatës “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit” që mbahet nën mbikqyrjen e Zyrës së Kryeprokurorit, Lumezi tha se janë rritur kapacitetet e këtij institucioni si dhe siguroi se do të ndërmarrin të gjitha veprimet që viktimat e krimit të merren me seriozitet.

“Prokuroria duhet të rrisë efikasitetin për rastet e dhunës në familje në mënyrë që mos të bëhet vonë. Zyrtarët të cilët shërbejnë në zyrën për mbrojtjen e viktimave duhet të kenë rol më të madh në mbrojtjen e viktimave të krimit. Inkurajoj viktimat e krimit të lajmërojnë çdo dhunë dhe rrezik, e që është edhe detyrim, si dhe të kërkojnë masat mbrojtëse” tha Lumezi.

Lexoni edhe këtë: Dhuna në familje mposht drejtësinë

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së ambasadorës së SHBA-vë në Prishtinë, Colleen E. Hyland, tha se shënimi i kësaj jave është me rëndësi t’i kujtohet publikut se çfarë mund të presin nga institucionet kur janë viktima të krimit ose dhunës.

“Ambasadata e SHBA-ve përmes programeve të saj ka ndihmuar institucionet e Kosovës që të përmirësojnë përgjigjen ndaj rasteve të dhunës në familje. Mbështetja ndaj viktimave duhet të jetë në qendër të vëmendjes tuaj. Këtë vit Kosova ka parë vrasje tragjike si pasojë e dhunës në familje. Mjerisht këto raste kanë mundur të parandalohen. Është e qartë që secili duhet të alarmohet nga kjo dhe të inkurojnë viktimat të paraqesin këto raste dhe jo t’i fshehin ato nga turpi” tha Hyland.​

Gjatë këtij viti në Kosovë janë raportuar 20 raste të vrasjeve, derisa viti 2017 është mbyllur me 27 raste të vrasjeve. Vrasjet kanë ndodhur për arsye të ndryshme që përfshinë edhe rastet e vrasjeve të dhunë në familje.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm vitin e kaluar janë shënuar 962 raste të dhunës në familje, ku viktima kanë qenë kryesisht gratë.

XS
SM
MD
LG