Ndërlidhjet

Medvedev: Do të ndalojmë importin e disa produkteve ukrainase 


Kryeministri rus, Dmitry Medvedev. Foto nga arkivi.

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev thotë se Moska po përgatit sanksione për të ndaluar disa produkte ukrainase në Rusi.

Medvedev po ashtu tha se në listën e sanksioneve që po përgatisin autoritetet ruse do të përfshihen edhe qytetarë dhe kompanitë ukrainase.

“Sanksionet do të prekin shumë njerëz të njohur në Ukrainë dhe disa produkte ukrainase do të ndalohen që të importohen në Federatën Ruse”, tha Medvedev, duke shtuar se ai planifikon që ta nënshkruajë dokumentin e sanksioneve ndaj Ukrainës “në një periudhë të shkurtër kohore”.

Megjithatë, Medvedev nuk ka specifikuar se cila produkte ukrainase do të sanksionohen.

Ai tha se pavarësisht raporteve të tensionuara në mes të Rusisë dhe Ukrainës, në mes të dy shteteve “vazhdon të ketë një partneritet të madh tregtar”.

Komentet e Medvedevit vijnë vetëm një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin nënshkroi një dekret për “masa të posaçme ekonomike”, si kundërpërgjigje, të siç e quajti ai, “veprimeve jomiqësore” të Ukrainës ndaj qytetarëve dhe kompanive ruse.

Sikurse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, edhe Kievi zyrtar ka vendosur sanksione ndaj miliarderëve rusë dhe kompanive ruse, në kundërpërgjigje ndaj aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, si dhe mbështetjen e vazhdueshme që Rusia ua jep separatistëve të armatosur pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Në qershor, Putin kishte nënshkruar një ligj me kundërmasa ndaj Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

XS
SM
MD
LG