Ndërlidhjet

Trump: Vrasja e Khashoggit, komploti më i keq në histori


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se përgjigjja e Arabisë Saudite ndaj vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ka qenë përpjekja më e keqe në histori për të fshehur të vërtetën.

Trump tha për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë se kushdo që e organizoi komplotin "duhet të jetë në telashe të mëdha".

SHBA-ja u përball me presion të madh për të ashpërsuar qëndrimin ndaj Arabisë Saudite - aleate kyçe e saj.

Arabia Saudite ka ofruar raporte kundërthënëse për fatin e Khashoggit, banor i SHBA-së dhe kontribues në gazetën Washington Post.

Pas disa javësh këmbënguljeje si ai është i gjallë, autoritetet saudite thonë tani se Khashoggi, 59 vjeç, ka vdekur pas një përleshjeje që ka ndodhur pasi ka vizituar konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara "do t'i dënojnë përgjegjësit" dhe se do t'i anulojnë vizat për 21 të dyshuar të identifikuar.

Në një intervistë të veçantë për gazetën Wall Street Journal, Trump përmendi përfshirjen e mundshme të zyrtarëve të lartë sauditë në vrasjen e Khashoggit, por tha se nuk beson se mbreti saudit, Salman, ka pasur njohuri paraprake për krimin.

XS
SM
MD
LG