Ndërlidhjet

Bolton: Do ta shtrydhim Iranin


Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Michael Bolton, gjatë intervistës me shërbimin armen të Radios Evropa e Lirë.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Michael Bolton, u zotua se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, "do ta shtrydhë Iranin" me presion të madh ekonomik, për shkak të, siç tha, sjelljes "keqdashëse" të tij në Lindjen e Mesme dhe në gjithë botën.

Bolton i bëri këto komente në një intervistë ekskluzive për Radion Evropa e Lirë, pas takimit me kryeministrin armen, Nikol Pashinian, në Jerevan.

"Siç i thashë edhe kryeministrit, duam të bëjmë presion maksimal mbi Iranin, sepse ai nuk ka hequr dorë nga synimi për krijimin e armëve bërthamore", i tha Bolton shërbimit armen të Radios Evropa e Lirë.

"Irani mbetet bankieri kryesor në botë i terrorizmit ndërkombëtar. Dhe, ne jemi të shqetësuar për programin e tij me raketa balistike dhe për operacionet e tij ushtarake në Siri, Irak dhe gjetkë", tha Bolton.

"Do ta shtrydhim Iranin, sepse mendojmë se sjellja e tij në Lindjen e Mesme dhe në fakt globalisht është keqdashëse dhe duhet të ndryshojë", tha zyrtari i lartë amerikan.

Në muajin maj, Trump e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe ka rikthyer sanksionet ekonomike kundër tij.

Irani vazhdimisht ka thënë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.

XS
SM
MD
LG