Ndërlidhjet

Kryeprokurori i Gjykatës së Posaçme viziton Kosovën


Prokurori Jack Smith.

Zyra e Prokurorit Special në Hagë bëri të ditur përmes një komunikate për media se prokurori i specializuar i Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, Jack Smith, ka filluar vizitën e tij të parë në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite, ai do të takohet me krerët e organizatave ndërkombëtare, përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, ministrin e Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj ministrie.

Prokurori amerikan, Jack Smith, është emëruar kryeprokuror i Dhomave të Veçanta apo i Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte pas një procesi të përzgjedhjes, të organizuar nga Bashkimi Evropian, dhe ai ka nisur detyrën më 11 shtator.

Mandati i Gjykatës Speciale për Krime Lufte përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve. Këto krime të dyshuara përfshijnë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Kjo gjykatë është krijuar pas ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

XS
SM
MD
LG