Ndërlidhjet

Bërnabiq letër shteteve të botës: Prishtina po rrezikon rajonin


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq kërkoi në mbledhjen e Qeverisë që sa më shpejt të përgatitet teksti i një letre të cilën ajo planifikon t’ua dërgojë gjithë homologëve të saj në botë, përmes së cilës do t’i paralajmërojë ata për rrezikimin e paqes dhe stabilitetit në rajon nga ana e Prishtinës.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Serbisë, letra e kryeministres serbe do të nxjerrë në pah “vendimet dhe sjelljet e institucioneve në Prishtinë, të cilat shkelin të gjitha marrëveshjet e arritura, iniciativat rajonale dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat vetë i kanë miratuar përfshirë edhe Kushtetutën e Kosovës” .

Me këtë letër Qeveria serbe thotë se do të “tërheqë vëmendjen dhe individualisht t’i paralajmërojë vendet për kërcënimin e paqes dhe stabilitetit rajonal nga ana e Prishtinës si dhe shembjen e qëllimshme të atmosferës së dialogut në një kohë kur Serbia po bën përpjekje maksimale për ta intensifikuar atë me qëllim të paqes afatgjate në këtë pjesë të Evropës”.

“Kryeministrja Bërnabiq ka theksuar nevojën e komunikimit me gjithë partnerët në botë në mënyrë që të gjithë të jenë të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës në të cilën Serbia zhvillon dialogun” thuhet në komunikatën e Qeverisë së Serbisë.

Përndryshe të enjten mbrëma presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq do të vazhdojnë dialogun mes këtyre dy vendeve në Bruksel.

Para nisjes së takimit Thaçi ka thënë se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë do të jetë shumë e vështirë, mirëpo sipas tij, do të bëhen përpjekje që në fund procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do t'u hapë perspektivën të dy vendeve për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

XS
SM
MD
LG