Ndërlidhjet

Fajon: E zhgënjyer me vizat, procesi po politizohet


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon.

Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka thënë se është e zhgënjyer me zhvillimet rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Fajon ka thënë se është e paparanueshme që Kosovës t’i imponohen kushte të reja pasi janë plotësuar të gjitha kërkesat.

“Jam e shqetësuar me disa zhvillime dhe deklarata lidhur me liberalizimin e vizave, siç ishte ajo e kancelarit austriak Sebastian Kurz gjatë vizitës në Prishtinë. Është e papranueshme sesi disa politikanë po mundohen që të politizojnë edhe më tutje procesin, duke imponuar kushte të reja dhe në këtë mënyrë të vonojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës” ka deklaruar Fajon.

Ajo e ka quajtur të padrejtë faktin se janë plotësuar të gjitha kushtet nga ana e Kosovës, megjithatë Bashkimi Evropian nuk po vepron.

“Unë insistoj që vendet anëtare të përdorin të njëjtat standarde për Kosovën siç kanë qenë vitet e fundit për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Pasi kushtet të plotësohen ne duhet të ecim tutje. Nëse këto principe vihen në pikëpyetje atëherë ne humbin kredibilitetin”, ka thënë ajo.

Megjithatë, eurodeputetja Fajon ka thënë se ka shpresë që deri në fund të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm të mund të merret vendimi për liberalizim nëse për këtë ka vullnet politik brenda qeverive të vendeve të BE-së.

“Sapo qeveritë e BE-së të kenë dhënë dritën e gjelbër, miratimi mund të përfundojë me shpejtësi. Shpresoj se kjo të ndodhë deri në fund të vitit ose fare në fillim të vitit të ardhshëm. Ne po hyjmë në zgjedhjet brenda institicioneve të BE-së, Parlamenti dhe Komisioni evropian do të zgjedhen përsëri prandaj si raportuese do të bëjë gjithçka brenda mundësive të mia që kjo të realizohet gjatë mandatit tim. Caku përfundimtar është brenda mundësive prandaj ajo çfarë na duhet tash është guximi dhe vullneti politik. Në Parlamentin Evropian ekzistojnë të dyja por pyetja është nëse ekzistojnë te vendet anëtare”, ka shtuar Fajon.

Ajo ka përmendur faktin se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet megjithatë ajo çfarë duhet që tash të tregojë ky vend është fakti se qytetarët e saj i kuptojnë kushtet e udhëtimit pa viza.

“Unë kam paralajmëruar në shumë raste se ‘topi’ tash është në duart e qeverive të vendeve anëtare të BE-së. Unë i nxita ata që të procedojnë gjatë presidencës austriake të BE-së dhe ne do të vazhdojnë të bëjmë presion te qeveritë përkatëse. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të vazhdojë të plotësojë kushtet e nevojshme. Ajo çfarë duhet të shohim tash është se Kosova është e gatshme për të pranuar liberalizimin në praktikë dhe se njerëzit janë të vetëdijshëm me kufizimet që përmban lëvizja pa viza”, është shprehur Fajon.

Në një vizitë të realizuar më 6 nëntor në Prishtinë, kancelari austriak Sebastian Kurz ka thënë se ende ka shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian që janë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën.

Mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE-së pritet të mbahet në dhjetor të këtoj viti, ndërkaq ende mbetet e paqartë nëse çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës.

XS
SM
MD
LG