Ndërlidhjet

Veseli: Nuk do të tolerojmë synimet destruktive të Serbisë ndaj Kosovës


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një deklarate për media, arsyetoi veprimet e fundit të institucioneve të Kosovës si përpjekje për të ndalur, siç tha, destruktivitetin e liderëve institucional të Serbisë ndaj Kosovës.

Dy ditë pas vendosjes së taksës doganore 100 përqind për mallrat serbe dhe boshnjake nga ana e qeverisë së Kosovës, Veseli bëri thirrje që qytetarët e Kosovës pa dallime etnike të kenë besim në institucionet e vendit dhe të mos bien pre e ndonjë provokimi të mundshëm dhe gjuhës së urrejtjes.

“Vendimet tona janë legjitime, legale dhe transparente, ato nuk duhet asesi të interpretohen si veprime ndaj një komuniteti të caktuar në Kosovë. Për këtë arsye nuk duhet të shërbejnë si shkas për të cenuar stabilitetin e Kosovës. Republika e Serbisë, lidershipi i saj, duhet ta kuptojë se politika e urrejtjes, bllokimit dhe provokimit ndaj Kosovës është duke rrezikuar stabilitetin rajonal është kundër frymës së dialogut të proklamuar” thuhet në deklaratën e Veselit.

Megjithatë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kosova është e angazhuar të zgjidhë problemet me Serbinë në mënyrë konstruktive përmes dialogut, mirëpo, kjo sipas tij “nuk do të thotë që të tolerohen pafundësisht synimet destruktive ndaj shtetit të Kosovës”.

Deklarata e Veselit bëhet në ditën kur Policia e Kosovës arrestoi në veri të Mitrovicës, katër persona tre prej të cilëve, janë të dyshuar në lidhje me vrasjen e politikanit serb nga kjo pjesë e Kosovës, Oliver Ivanoviq. Veseli thotë në deklaratë se Instituconet e Kosovës “nuk do të lejojnë veprime që cenojnë bashkëqytetarët serb kudo që jetojnë në Kosovë”.

XS
SM
MD
LG