Ndërlidhjet

Dënohet me 30 vjet burgim ish-drejtori i Shërbimit të fshehtë jugosllav


Josip Perkoviqit, ish-drejtor i Shërbimit të fshehtë jugosllav dhe atij kroat

Një Gjykatë në Kroaci e ka ndryshuar dënimin e përjetshëm me burg ndaj Josip Perkoviqit, ish-drejtor i Shërbimit të fshehtë jugosllav.

Gjykata vendosi, që 73 vjeçari, Perkoviq të vuaj dënimin në Kroaci, pasi më parë ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga një Gjykatë në Mynhen të Gjermanisë lidhur me akuzat për vrasjen e migrantit politik, Stjepan Gjurekoviq në vitin 1983, në Gjermani.

Për këtë vrasje, Gjykata pati dënuar edhe ish-zyrtarin tjetër të shërbimit të fshehtë të Kroacisë Zdravko Mustaq.

Gjykata e shkallës së parë të Zagrebit, arriti në përfundimin se në çështjen e Perkoviqit duhet zbatuar ligji që është aktualisht në fuqi duke e shpallur dënimin maksimal prej 30 vitesh burgim.

Mbrojtja e Perkoviqit argumentoi se në rastin e tij duhet zbatuar një dënim prej 20 vjetësh i cili ishte dënimi më i lartë në kohën e vrasjes.

Kroacia ekstradoi Perkoviqin dhe Mustaqin në Gjermani në vitin 2014.

Perkoviq ishte agjent i shërbimit të fshehtë jugosllav në vitet e 80-ta. Pas shkatërrimit të Jugosllavisë, në vititet e 90-ta, ai kishte ndihmuar në krijimin e shërbimit të inteligjencës së pavarur të Kroacisë.

XS
SM
MD
LG