Ndërlidhjet

Rritet numri i gazetarëve të vrarë për shkak të punës së tyre


Ilustrim.
Ilustrim.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) ka thënë më 19 dhjetor se nga 53 gazetarët e vrarë gjatë këtij viti, 34 prej tyre janë ndëshkuar për punën që kanë bërë.

Në raportin e tij vjetor, Komiteti me seli në Nju Jork ka thënë se këtë vit është rritur rreziku i sulmimit të personave për motive të gazetarisë, pavarësisht uljes së rrezikut nga konfliktet dhe luftërat.

Bazuar në të dhëna ky Komitet ka thënë se shifra e publikuar nga 1 janari deri më 14 dhjetor, përbën numrin më të lartë të vrasjeve në tre vjetët e fundit sa i përket shënjestrimit të këtyre personave bazuar në punën e tyre.

“Numri i gazetarëve të shënjestruar për vrasje, bazuar në punën e tyre pothuajse është dyfishuar më 2018, në krahasim me një vit më parë”, është thënë në raport.

Këto të dhëna kanë theksuar shqetësimet e bëra pas publikimit të një raporti nga Reporterët pa Kufij, organizatë e cila ka thënë se këtë vit janë vrarë 80 gazetarë, duke përfshirë edhe blogerët, personat që merren me gazetari qytetare dhe punëtorët në media.

Në të dyja raportet është përmendur vrasja e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi dhe konsullatën saudite në Stamboll.

Në një pjesë të raportit, Komiteti e ka cilësuar ironi faktin se “presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka qenë kritiku më i zëshëm i vrasjes së Khashoggit, ndonëse Qeveria e tij ka mbyllur mediat e pavarura dhe është duke burgosur gazetarë në shumë se secili vend tjetër në botë, për vitin e tretë me radhë”.

Përveç tjerash në raport është përmendur se Afganistani, gjendet i pari në listën e vendeve ku janë vrarë më së shumti gazetarë, i përcjellur nga Siria dhe India.

Si pasojë e një sulmi vetëvrasës në muajin prill në Afganistan patën vdekur nëntë gazetarë.

Komiteti ka veçuar edhe vrasjen e gazetarit sllovak, Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, duke përmendur se ai ka qenë duke hulumtuar disa dyshime për korrupsion në nivele qeveritare.

Komiteti po ashtu ka përmendur se është duke hulumtuar vrasjen e 23 gazetarëve të tjerë më 2018, mirëpo deri më tani nuk është konfirmuar se vrasjet kanë qenë të lidhura me punën e tyre.

XS
SM
MD
LG