Ndërlidhjet

Vëzhguesi Sirian: IS-i ka vrarë 700 të burgosur në lindje të Sirisë


Flamuri i IS-it.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut ka thënë të mërkurën se militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) kanë ekzekutuar në lindje të Sirisë 700 të burgosur në pothuajse dy muaj.

Vëzhguesi me bazë në Britani të Madhe ka thënë se të burgosurit kanë qenë në mesin e 1,350 civilëve dhe luftëtarëve që IS-i ka qenë duke mbajtur në një territor afër kufirit me Irakun.

Militantët e këtij grupi zotërojnë një rrip të ngushtë afër Lumit Eufrat në Siri, afër qytetin Hajin, zonë të cilën këtë muaj kanë intervenuar forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga milicia kurde, janë përballur me IS-in për muaj të tërë me ndihmë të forcave ajrore dhe atyre speciale amerikane.

Komandanti i SDF-së, Mazloum Kobani i ka thënë agjencisë së lajmeve, Reuters javën e kaluar se të paktën 5,000 luftëtarë të IS-it gjenden në këtë enklavë, duke përfshirë disa persona të huaj që duket se janë të gatshëm për luftuar për vdekje.

Kalifati i vetëshpallur i IS-it është shkatërruar pas ofensivave të ndryshme në Siri dhe Irak.

Pavarësisht kësaj, disa luftëtarë të IS-it vazhdojnë të jenë aktivë në disa zona kufitare mes Sirisë dhe Irakut.

XS
SM
MD
LG