Ndërlidhjet

Stoltenberg: Angazhimi i NATO-s me FSK-në do të shqyrtohet


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka telefonuar të mërkuren kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me angazhimin e NATO-s në Kosovë pas miratimit të ligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në një njoftim të Aleancës Veriatlantike thuhet se “Sekretari i Përgjithshëm e informoi Haradinajn se Këshilli Veri-Atlantik, ka pasur një diskutim fillestar mbi ligjet e miratuara së fundmi për transformimin e FSK-së. Sekretari Stoltenberg e ka njoftuar Haradinajn se përderisa mandati i FSK-së, po evoluon, niveli i angazhimit të NATO-s me FSK-së për vitin e ardhshëm do të shqyrtohet” njoftohet t’i ketë thënë Stoltenberg, kryeministrit Haradinaj.

Më tej sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ka thënë gjatë telefonatës, se KFOR-i do të vazhdojë misionin për të siguruar ambient të sigurt në Kosovë.

“ NATO do të vazhdojë misionin e KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurtë në Kosovë. KFOR vepron nën një mandat të OKB-së dhe nuk do të ndikohet nga ligjet për kalimin e FSK-së. Sekretari i Përgjithshëm do të vazhdojë angazhimin e tij me të gjithë aktorët relevant për stabilitetin rajonal” thuhet në njoftim.

Ndërkaq në një njoftim zyrës së kryeministrit, thuhet se Haradinaj e ka informuar sekretarin Stoltenberg, për miratimin e ligjeve për transformimin e FSK-së, si dhe themelimin e Komitetin Ndër-Ministror për Integrimet dhe Anëtarësimin në NATO.

“Kryeministri Haradinaj e ka garantuar Sekretarin Stoltenberg për transparencën e procesit të transicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin e tij dhe të Qeverisë për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in, NALT-in, Programin e Ndërveprimit të Zgjeruar dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale” thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kryeministri Haradinaj më tej ka vlerësuar se Kosova do të punojë ngushtë me NATO-n, për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes.

Kuvendi i Kosovës miratoi më 14 dhjetor ligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë. Në të njëjtën ditë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, lëshoi një deklaratë, në të cilën kishte thënë, se vendimi i Kuvendit të Kosovës, për të miratuar tri ligje për Ushtrinë, vjen “në kohë të papërshtatshme”.

XS
SM
MD
LG