Ndërlidhjet

Dita 15 e protestës, krijohet “Pakti për Universitetin”


(Foto arkiv)
(Foto arkiv)

Në Tiranë u zhvillua sot protesta e pesëmbëdhjetë e studentëve të universiteteve publike të cilët po bojkotojnë mësimin në të gjitha fakultetet e vendit, me kërkesa ekonomike dhe akademike drejtuar qeverisë dhe institucioneve arsimore të vendit.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në kuadër të përpjekjeve të tij për të hapur dialog me studentët, ka filluar të takohet me një pjesë të tyre dhe të pedagogëve nëpër auditorët e universiteteve nëpër Shqipëri.

Ai, po ashtu, përmes platformës online “Shqipëria që duam”, platformë kjo zyrtare e Qeverisë së Shqipërisë, ka bërë të ditur se ka angazhuar disa grupe pune, “të cilat po punojnë për dokumentin e një Pakti për Universitetin”.

“Përtej përgjigjes konkrete për 8 pikat e dala nga protesta studentore, Pakti për Universitetin, do të jetë një dokument angazhimesh për të adresuar probleme të përgjithshme për Universitetin, si edhe probleme specifike për çdo universitet - bazuar në informacionet, opinionet, idetë e sugjerimet e mbledhura gjatë procesit të saponisur të Dialogut ”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë në këtë faqe.

Kjo platformë, që ka përbrenda draftin e parë të punës për realizimin e kërkesave të studentëve thuhet se është në fazën e diskutimeve në grupet e punës, të cilat mirëpresin çdo sugjerim të studentëve.

Kryeministri Rama zhvilloi mesditën e së mërkurës një takim me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. Ai u atje u prit me protesta të dhjetëra studentëve që po qëndronin jashtë ndërtesës së fakultetit, dhe u prit me brohorima “nuk ka dialog”, “jo politikë” dhe “turp”.

Studentët i kanë 8 kërkesa për të lehtësuar studimet e tyre, që kanë të bëjnë me ulje të tarifave, përmirësim të cilësisë së arsimit dhe të kushteve të konvikteve ku ata jetojnë, pajisjen me kartën e studentit për lehtësira ekonomike dhe përfaqësimin e tyre në borde drejtuese e vendimmarrëse të universiteteve.

Ata edhe sot, edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë për të dialoguar, refuzuan me këmbëngulje një gjë të tillë dhe thonë se këto kushte nuk janë për bisedime por vetëm plotësim të tyre, se protestat e tyre nuk kanë përfaqësi dhe se askush nuk mund të flasë në emër të protestës.

Studentët në javën e parë të protestës së tyre qëndruan para ndërtesës së ministrisë së Arsimit, më pas u zhvendosën para ndërtesës së Kryeministrisë dhe vazhdimisht po ndërmarrin aksione simbolike nëpër të gjithë kryeqytetin e Shqipërisë, duke bllokuar rrugët dhe duke krijuar kaos në trafik.

XS
SM
MD
LG