Ndërlidhjet

Shqipëria dëbon ambasadorin e Iranit


Flamuri i Shqipërisë.
Flamuri i Shqipërisë.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka përgëzuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për, siç ka thënë ai, dëbimin e dy agjentëve iranianë nga Shqipëria.

“Unë përgëzoj kryeministrin Edi Rama për dëbimin e dy agjentëve iranianë që komplotuan sulmet terroriste në Shqipëri. Kombet evropiane kanë penguar tre komplote iraniane vetëm këtë vit. Bota duhet të qëndrojë e bashkuar për të sanksionuar regjimin e Iranit derisa të ndryshojë sjelljen e tij destruktive”, ka deklaruar Pompeo në Twitter.

Edhe Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, ka njoftuar përmes një postimi në Twitter se kryeministri Edi Rama ka dëbuar ambasadorin iranian nga Shqipëria.

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo dëboi ambasadorin iranian, duke u sinjalizuar liderëve iranianë se mbështetja e tyre për terrorizëm nuk do të tolerohet. Ne qëndrojmë me kryeministrin Rama dhe me popullin shqiptar derisa ata i kundërvihen sjelljeve të pamatura të Iranit në Evropë dhe në të gjithë botën”, ka shkruar Bolton në Twitter.

Mediat vendore në Shqipëri kanë raportuar se iranianët e dëbuar dyshohen për veprimtari të paligjshme që lidhen me ndeshjen e futbollit të kualifikimit të Kupës Botërore midis Shqipërisë dhe Izraelit dy vjet më parë. Rreth 20 persona janë arrestuar në Shqipëri dhe Kosovë pas kësaj ndeshjeje për planifikimin e një sulmi të dyshuar terrorist.

Ende nuk ka reagime zyrtare nga Qeveria e Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG