Ndërlidhjet

Erdogan zotohet për "pastrimin" e Sirisë nga kurdët dhe militantët e IS-it


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë më 21 dhjetor se do ta pastrojë Sirinë nga milicia kurde e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe militantët e grupit ekstremist, Shtetit Islamik (IS), pas vendimit të SHBA-së për t’i tërhequr trupat nga ky shtet.

“Në muajt vijues ne do të krijojmë një plan operacional me qëllim të largimit të Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG) dhe gjurmëve të IS-it nga toka e Sirisë”, ka thënë Erdogan në Stamboll.

Më 12 dhjetor, Erdogan ka njoftuar se Turqia do të nisë një ofensivë të re ushtarake kundër militantëve kurdë afër Lumit Eufrat në veri të Sirisë.

Mirëpo kurdët sirianë, të përfshirë në luftën kundër IS-it kanë thënë se do të tërhiqen nga zonat ku janë aktualisht dhe do të pozicionohen në zonën kufitare me Turqinë nëse do të sulmohen nga forcat e kësaj të fundit.

Forcat Demokratike Siriane, janë aleancë në mes të milicisë kurde dhe asaj arabe.

Njësitet për Mbrojtjen e Popullit (YPG), Turqia i konsideron si organizatë terroriste, mirëpo po të njëjtat SHBA-ja i ka mbështetur në luftën kundër IS-it.

Pas vendimit të Trumpit për tërheqje të trupave amerikane nga Siria, kurdët konsiderohen humbësit më të mëdhenj në luftën në Siri, pasi pa mbrojtjen e SHBA-së ata do të gjenden përballë sulmeve të Turqisë.

XS
SM
MD
LG