Ndërlidhjet

Shënohet Dita e Veteranit, liderët përkujtojnë sakrificën e UÇK-së


Në Kosovë sot është shënuar Dita e Veteranit, në përkujtim të dëshmorëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka përkujtuar dëshmorët dhe veteranët e luftës, duke shprehur mirënjohje për sakrificën e tyre.

“Një ditë para përmbylljes së vitit, më 30 dhjetor, që shumë vjet shënohet Dita e Veteranit. Për çdo veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo ditë është rikujtim i betejës së parë, më 30 dhjetor 1991, të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari me forcat serbe në Prekaz. Heronjtë, dëshmorët dhe veteranët e luftës sonë për liri dhe pavarësi krijuan epokë të re për popullin tonë, prandaj sot me krenari kujtojmë çdo të rënë në altarin e lirisë dhe nderojmë gjithë sakrificën dhe kontributin e çdo veterani në luftën tonë çlirimtare”, thuhet në postimin e presidentit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është falenderues ndaj atyre që iu përgjigjen thirrjes së atdheut.

“Sot, në “Ditën e Veteranit” të luftës sonë çlirimtare, mirënjohës përjetë atyre që ndër breza i janë përgjigjur thirrjes së atdheut, në përpjekjet deri në liri. Dalzotës të atdheut, të gatshëm për sakrificë dje, të bashkuar sot rreth vlerave të lirisë, për t’i dhënë krahun dhe frymën tonë fuqizimit të shtetit”, tha Haradinaj në Facebook.

XS
SM
MD
LG