Ndërlidhjet

Kreu i LDK-së kritikon Ekipin negociator


Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka kritikuar Ekipin negociator të Kosovës, i cili ka zhvilluar të martën një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në kuadër të përgatitjes së fazës së ardhshme të dialogut me Serbinë.

Sipas Mustafës, gjatë takimeve me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, të martën në Bruksel, “Kosova u përfaqësua nga një delegacion pa relevancë”.

Sipas Mustafës, Ekipit negociator i është dhënë një porosi e qartë se “duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën” prej 100 për qind, që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj produkteve që importohen nga Serbia.

“Bashkëkryesuesit në deklaratat e tyre nga Brukseli u munduan t’i tregojnë Kosovës se kush janë. Ata u morën me vetveten, jo me esencën e dialogut; u morën me taksën, pa dhënë përgjigje, dhe u morën me LDK-në”, ka deklaruar Mustafa.

Kryetari i LDK-së ka thënë po ashtu se Kosova në Bruksel duhet të përfaqësohet nga një “Qeveri me përkrahje të gjerë, e cila për çështje të dialogut arrin të sigurojë unitet. Ndryshe, të tjerët do na i bëjnë letrat e ne do të vazhdojmë të përplasemi ndërmjet veti”.

Ekipi negociator i Kosovës ka realizuar të martën një takim konsultues me zyrtarët e Bashkimit Evropian. Pas takimit, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila ndërmjetëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se ka kërkuar që Kosova të heqë taksën prej 100 për qind të vënë në muajin nëntor.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, ka kërkuar që të dy palët, në fund të këtij procesi të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila pos tjerash, do t’u hapë perspektivën evropiane të dyja shteteve.

XS
SM
MD
LG