Ndërlidhjet

Pompeo diskuton me princin saudit vrasjen e Khashoggit


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pritet të takohet me princin saudit të kurorës, Muhammad bin Salman më 14 janar, dhe është planifikuar që bisedimet e tyre të fokusohen në hetimet rreth vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Disa të dhëna të CIA-s kanë fajësuar princin saudit për dhënien e urdhrit në vrasjen e Khashoggit brenda konsullatës saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit të kaluar.

Zyrtarët sauditë kanë mohuar të kenë dhënë urdhëra për vrasje të Khashoggit, i cili ka qenë besnik i mbretërisë mirëpo kohën e fundit ishte kthyer në kritik të princit.

Pompeo ka arritur në kryqytetin e Arabisë Saudite, Riad më 13 janar dhe është takuar me zyrtarë sauditë për të diskutuar këtë çështje.

“Sekretari ka theksuar se është e rëndësishme që Arabia Saudite të vazhdojë hetimet lidhur me vrasjen e Jamal Khashoggit, në mënyrë që të sigurohen fakte, të ketë informacione dhe të mbajnë përgjegjësi ata që janë përgjegjës”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit përmes një deklarate.

Pompeo ka arritur në Riad pasi ka vizituar Dohan, ku ka thënë se mosmarrëveshjet diplomatike në mes të Katarit dhe Arabisë Saudite “janë zgjatur shumë”.

Bahreini, Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shkëptur lidhjet diplomatike dhe ato të transportit me Katarin në qershor të vitit 2017, duke e akuzuar këtë të fundit për financim të terrorizmit dhe shiitëve iranianë.

Doha në anën tjetër ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat.

XS
SM
MD
LG