Ndërlidhjet

Sulmohet një hotel në Nairobi


Ilustrim.
Ilustrim.

Një hotel luksoz është duke u sulmuar në kryeqytetin Nairobi të Kenisë.

Të paktën dy shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në ndërtesën, e cila gjendet në distriktin Westland.

Grupi militant me bazë në Somali, al-Shabab ka pretenduar se është përgjegjës për sulmin, mirëpo nuk ka dhënë detaje.

Ndërkohë një dëshmitar ka thënë se katër persona të armatosur kanë hyrë në ndërtesë.

Njerëzit që kanë qenë në këtë zonë janë duke u larguar me ndihmën e zyrtarëve të armatosur rëndë.

Ende nuk ka informacione për viktima, ndonëse ekipet mjekësore janë në vendin e ngjarjes.

Një grua që punon në një ndërtesë në afërsi të hotelit ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters: “Kam dëgjuar të shtënat dhe më pas kam parë njerëz që duke vrapuar dhe duke ngritur duart lart kanë hyrë në një bankë për t’i ikur sulmit”.

Kenia është përballur me një varg sulmesh terroriste në vjetët e fundit, sidomos në zonat e afërta me kufirin e Somalisë.

Në shtator të vitit 2013, militantët e grupit al-Shabab patën hyrë në një qendër tregtare në Nairobi dhe kanë shënjestuar blerësit, duke lënë të vdekur 67 prej tyre.

Al-Shabab, është grup militant islamist, që kundërshton Qeverinë e Somalisë, mirëpo po ashtu kryen sulme në gjithë Afrikën Lindore.

XS
SM
MD
LG