Ndërlidhjet

PDK kërkon që mos të dëmtohet miqësia me SHBA-në


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Partia Demokratike e Kosovës, ka shprehur shqetësimin e saj për siç ka thënë mungesën e theksuar të bashkërendimit dhe bashkëveprimit institucional për çështjet e interesit shtetëror të Kosovës.

Kjo parti ka thënë përmes një deklarate për media, se konsideron që një gjë e tillë është duke e dëmtuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pozicionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Sipas saj, duhet të hiqet dorë nga qasja dhe protagonizmi i njëanshëm politik, i cili po e shpie Kosovën në krizë politike, në kohën kur siç është shprehur PDK, sfidat me të cilat përballet Kosova kërkojnë unitet kombëtar.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, është thënë në deklaratë është institucioni më i lartë i shtetit dhe asnjë vendim nuk ka vlerë pa marrë miratimin e deputetëve të tij.

Prandaj kjo parti ka kërkuar që të hiqet dorë nga deklarimet për korrigjimin e kufijve si dhe nga deklarimet e thirrjes së një Konference Ndërkombëtare për Kosovën.

“Kosova shkon në dialog (me Serbinë) vetëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, njohjen reciproke, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e anëtarësimit në BE dhe NATO”, është thënë në deklaratë.

Sipas kësaj partie çdo vendimmarrje e arritur në përfundim të dialogut me Serbinë duhet të legjitimohet nga vullneti i drejtpërdrejtë i popullit të Kosovës me referendum dhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

XS
SM
MD
LG