Ndërlidhjet

SHBA dhe Kina diskutojnë për konfliktin tregtar


Ilustrim.

Zyrtarët amerikanë dhe ata kinezë kanë rinisur negociatat me qëllim të dhënies fund të konfliktit gjashtëmujor tregtar, i cili ka “shkundur” ekonomitë e të dyja shteteve dhe ka krijuar shqetësime në tregun global.

Dy delegacionet janë takuar në Uashington më 30 janar për të nisur bisedimet dyditore në mes të Përfaqësuesit amerikan për Tregti, Robert Lighthizer dhe ekipit kinez të drejtuar nga zëvendëskryeministri, Liu He.

Dy palët kanë vetëm edhe një muaj për të arritur marrëveshje, meqë armëpushimit 90-ditor i është afruar fundi.

Në rast se dështojnë bisedimet, Shtetet e Bashkuara pritet që të paktën të dyfishojnë tarifat në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve.

Ekonomistët janë të shqetësuar se një masë e tillë mund të çrregullojë ekonominë botërore.

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka akuzuar Kinën për ato që i ka konsideruar si praktika të padrejta tregtare, të cilat iu kanë kushtuar amerikanëve me vende të punës.

Ndërkohë situata është komplikuar edhe më shumë në marrëdhëniet SHBA-Kinë, pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur akuza penale kundër gjigantit teknologjik kinez, Huawei, me dyshimet se ka shkelur sanksionet ndaj Iranit dhe ka vjedhur sekretet teknologjike amerikane.

XS
SM
MD
LG