Ndërlidhjet

Dodik: "Zgjidhja e çështjes së Kosovës" do të ndikojë edhe te Bosnja


Anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik.
Anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik.

Anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, tha të enjten në Beograd se "zgjidhja e çështjes së Kosovës do të ndikojë edhe te Bosnja".

Në konferencën për gazetarë, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Dodik tha se në të gjitha bisedat që kanë zhvilluar të martën në Bruksel anëtarët e Presidencës së Bosnjës, është thënë se zgjidhjet për Kosovën nuk duhet të reflektojnë në Bosnje.

"E kam thënë dje, pardje, e them tani se kjo është e pamundur. Nëse dikush i ka ato të drejta, përse ne të mos i kemi? Ky është qëndrimi im", tha Dodik, raportojnë mediat serbe.

Ai tha se kolegët e tij në Presidencën e Bosnjës kanë "një qasje ndryshe ndaj problemit të Kosovës".

"Kam vënë re se ka presione gjithnjë e më të mëdha, të brendshme dhe të jashtme, për të destabilizuar pozicionin negociator të Serbisë. U bëj thirrje të gjithëve që të largohen nga çështjet e politikës ditore, t'i përkushtohemi kësaj çështjeje me rëndësi strategjike dhe të forcojmë pozitën negociuese të ekipit serb", tha Dodik.

Më herët, Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë, u ka bërë thirrje serbëve të Bosnjës që të ndahen, duke thënë se Bosnja ka dështuar.

XS
SM
MD
LG