Ndërlidhjet

Thaçi e siguron SHBA-në: Kosova mbetet 100% e angazhuar në dialog


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka biseduar të enjten me këshilltarin për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, të cilit, siç u shpreh, i ka rikonfirmuar gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në arkitekturën evropiane të paqes.

Thaçi, përmes një postimi në Twitter, tha se ka siguruar Boltonin se Kosova do ta bëjë këtë "duke u angazhuar 100% në dialogun për marrëveshje gjithëpërfshirëse (v.j. me Serbinë), me synim integrimin e plotë të republikës sonë në NATO, BE dhe OKB, si partnere përgjegjëse".

Thaçi tha se ka biseduar edhe me ndihmëssekretarin në largim të SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell.

"Kosova është e unifikuar dhe plotësisht e vetëdijshme për mundësinë historike për të arritur marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, që do të mundësojë përparim në pajtimin me Serbinë dhe në rrugën tonë për t'iu bashkuar familjes euroatlantike të kombeve", shkroi Thaçi në Twitter qëndrimin që i ka shprehur Mitchellit.

Ditëve të fundit, SHBA i ka përsëritur disa herë thirrjet që Kosova të heqë taksën që u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Por, me gjithë kërkesat e SHBA-së, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka marrë ndonjë vendim për pezullim të tarifës.

Qëndrimi i tij thuhet se po lëkund edhe koalicionin qeverisës në Kosovë, marrë parasysh faktin që Partia Demokratike e Kosovës dhe udhëheqësi i saj, Kadri Veseli, janë pajtuar për pezullimin e tarifës.

Veseli tha të enjten se është e rëndësishme të ruhet partneriteti me SHBA-në.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të vazhdojë dialogun për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, derisa tarifa doganore të mbetet në fuqi.

XS
SM
MD
LG