Ndërlidhjet

Miratohet Projektligji për delegacionin e Kosovës në dialogun me Serbinë


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.

Kuvendi i Kosovës me 61 vota për, votoi në parim Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Për mbi 4 orë, deputetët nga pushteti e opozita zhvilluan një debat me kritika e akuza të ndërsjella. Një debat i ashpër është zhvilluar po ashtu edhe ndërmjet deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate, për siç kanë thënë ata, afërsisë me pushtetin.

Gjatë debatit parlamentar, zëvendëskryeministri i Kosovë, Enver Hoxhaj, duke prezantuar këtë projektligj, tha se ai rregullon atë se çka mund të negociohet dhe çka nuk mund të negociohet, në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

"Me këtë projektligj natyrisht se janë dhënë të gjithë parametrat e duhur që çështja e përfaqësimit të Kosovës në dialog të rregullohet në mënyrë te mirëfilltë", tha Hoxhaj.

Projektligji u kundërshtua nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se ligji në fjalë i jep legjitimitet dhe mbështetje të plotë politike presidentit, Hashim Thaçi dhe legalizon planet e tij për siç tha ajo, të “copëtimit” të Kosovës.

“Ky ligj lejon edhe negocimi të ndarjes dhe të shkëmbimin edhe të korrigjimit (të kufirit) dhe të Asociacionit të komunave serbe e edhe të ekstraterritorialitet", tha deputetja Osmani.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se ky ligj nuk kufizon punën e presidentit dhe siç u shpreh ai, “iniciativat” që ai prezanton.

“Ky ligj me formulimet e tij nuk ka prekur fare punën e presidentit dhe iniciativat që ai prezanton. Qeveria nuk e ka saktësuar asnjë rolin e këtij delegacioni. A është ekip mbështetës i presidentit apo është që t’i merret dialogu presidentit”, tha Konjufca duke shtuar se sipas tij, ky është ekip mbështetës, pasi sipas tij, me këtë ligj, presidentit nuk i ndalohet që të vazhdojë bisedimet në Bruksel me palën serbe.

Qeveria e Kosovës ka emëruar një delegacion shtetëror për dialogun me Serbinë, i cili bashkëkryesohet nga kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe ai i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, kërkon që dy palët të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila veç tjerash, do t’u hapte rrugë drejt integrimeve evropiane të dyja shteteve.

XS
SM
MD
LG