Ndërlidhjet

Putin, Erdogan dhe Rohani do të diskutojnë sërish për Sirinë


Presidenti iranian, Hasan Rohani (majtas), lideri turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas). Foto nga arkivi.
Presidenti iranian, Hasan Rohani (majtas), lideri turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas). Foto nga arkivi.

Liderët e Rusisë, Iranit dhe Turqisë pritet të takohen në Soçi të Rusisë më 14 shkurt për të diskutuar situatën në Siri, kanë njoftuar mediat shtetërore ruse dhe ato turke.

Ndonëse në këto raportime nuk janë bërë të ditura hollësitë, ato kanë konfirmuar se presidenti rus, Vladimir Putin, lideri turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tyre iranian, Hassan Rohani do të takohen shumë shpejt.

Transmetuesi rus, NTV ka thënë se liderët do të diskutojnë për situatën në të ashtuquajturat zona të de-eskalimit afër rajonit Idlib në Siri, si dhe për tërheqjen e paralajmëruar të trupave amerikane nga shteti i shkatërruar nga lufta.

Të trija shtetet kanë thënë se synojnë të arrijnë një zgjidhje politike, për t’i dhënë fund luftës civile shtatëvjeçare në Siri.

Moska dhe Teherani mbështetsin presidentin sirian, Bashar al-Assad derisa Turqia dhe Shtetet e Bashkuara u qëndrojnë mbrapa grupeve të ndryshme rebele.

Deri më tani kanë dështuar shtatë raunde të negociatave për Sirinë, të cilat kanë rezultuar me vdekjen e më shumë se 400,000 personave, më pas zhvendosjen e miliona të tjerëve, si dhe me shkatërrimin e shumë zonave historike në këtë shtet.

Forcat amerikane pritet të largohen nga Siria, ndonëse aty kanë punuar ngushtë me kurdët e Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG), organizatë, të cilën Turqia e konsideron të lidhur me grupe terroriste.

Presidenti amerikan, Donald Trump është përballur me kritika nga republikanët, demokratët dhe zyrtarë të huaj, për planet e tërheqjes së trupave amerikane, duke thënë se aleatët kurdë do të mbesin në mëshirën e Turqisë, si dhe kjo situatë do të konsiderohet fitore për Rusinë dhe Iranin.

Turqia ka kërcënuar se do të sulmojë aleatët e SHBA-së, kurdët, të cilët kanë luftuar militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik në Siri.

Ankaraja i konsideron kurdët si terroristë dhe të lidhur me kryengritësit brenda Turqisë.

Ndërkohë Trump më 14 janar ka kërcënuar me “shkatërrim të ekonomisë së Turqisë”, nëse Ankaraja sulmon forcat kurde në Siri.

XS
SM
MD
LG