Ndërlidhjet

Ahmeti: PSD nuk bëhet pjesë e Qeverisë


Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti

Kryetari Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti e ka përjashtuar mundësinë që subjekti i tij politik, aktualisht në opozitë, të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes së PSD-së në një koalicion qeverisës së bashku me partinë më të madhe opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Përderisa për LDK-në nuk mund të flas, sa i përket PSD-së, mund të konfirmoj se nuk ka pas as edhe një takim apo diskutim për këtë gjë”, shkruan Ahmeti.

Komentet e Ahmetit vijnë në kohën kur analistë të ndryshëm po parashikojnë një rikonfigurim të koalicionit aktual qeverisës, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme që kanë shfaqur partnerët e koalicionit, sa i përket mundësisë së pezullimit të taksës doganore prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Këto kundërthënie në mes partnerëve aktualë qeverisës, po parashihet se mund të çojnë deri te nevoja për rikompozimin e koalicionit.

Ahmeti, i cili është edhe bashkëkryesues i Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, është shprehur se partia e tij do ta përkrahë procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, por edhe vendimin për taksën.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si partneri më i madh i koalicionit qeverisës, ka deklaruar se Kosova duhet të pezullojë taksën për një periudhë, në mënyrë që të mund të vazhdohet dialogu në Bruksel.

Por, partneri i tij në koalicionin qeverisës, kryeministri, Ramush Haradinaj po këmbëngulë se taksa do të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Kosova që të pezullojë taksën, e cila po shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut në Bruksel.

XS
SM
MD
LG