Ndërlidhjet

Daçiq: Putini është pajtuar para pesë vjetësh për vënien e kufirit Kosovë-Serbi


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, para pesë vjetësh ka rënë dakord me idenë e vënies së kufirit mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe Serbi.

“Para pesë vjetësh Putini është pajtuar me këtë propozim. Shumë herë, kam biseduar me Putinin edhe unë edhe Vuçiqi (presidenti serb Aleksandar Vuçiq)” ka thënë Daçiq.

Deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, pasojnë ato të ministrit serb të Teknologjisë dhe Inovacionit, Nenad Popoviq i cili kishte thënë se presidenti rus nuk pajtohet me idenë e vënies së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Popoviq mesiguri është i informuar gabimisht që presidenti rus Vladimir Putin është kundër idesë së vënies së kufirit” tha Daçiq.

Më tej, ministri Jashtëm serb tha se deklaratat e tilla të kolegut të tij në qeveri janë “të dëmshme për Serbinë”.

Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit të Serbisë, Nenad Popoviq, njihet për lidhjet e tij të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin.

Përplasja mes dy ministrave të kabinetit qeveritar serb, vjen disa ditë pasi ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq tha se përcaktimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është propozim zyrtar i Serbisë.

Mirëpo një ditë më pas, Daçiq tha se ky nuk është një propozim zyrtar por vetëm ide e zyrtarëve shtetërorë.

Presidenti i Serbisë, Alaksandar Vuçiq duke komentuar deklaratat e Daçiqit kishte deklaruar se “vënia e kufirit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë e Serbi është dhënë nga vetë ai që para dy vjetësh”.

Çështja e ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është përmendur disa herë edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e quan këtë proces "korrigjim i kufijve".

Presidenti Thaçi ka thënë se viti 2019 do të jetë vit i marrëveshjes përundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, kjo marrëveshje do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë dhe pranimin e Kosovës në OKB.

SHBA-ja ka thënë se do të pranojë çdo marrëveshje për të cilën pajtohen të dyja palët, mirëpo Bashkimi Evropian është i ndarë në këtë ide.

Ndërkaq, institucionet e BE-së kanë deklaruar se përkahin arritjen e marrëveshjes për të cilën pajtohen Prishtina dhe Beogradi, mirëpo Gjermania po e kundërshton ndryshimin e kufijve si pjesë të marrëveshjes.

Arritjen e shpejt të një marrëveshjeje dhe festimin e saj në Shtëpinë e Bardhë e ka kërkuar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump përmes një letre që iu ka dërguar, kohë më parë, presidentëve, Thaçi dhe Vuçiq.

XS
SM
MD
LG