Ndërlidhjet

Pack: Nuk duhet lejuar ndryshimi i kufijve në Ballkan


Doris Pack.
Doris Pack.

Ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack ka vlerësuar se nuk duhet lejuar ndryshimi i kufijve në Ballkan, marrë parasysh historinë e tij dhe periudhën e viteve të 90-ta.

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Pack ka thënë se shumë politikanë të sotëm evropianë nuk kanë qenë pjesë e politikës në vitet e 90-ta, prandaj edhe nuk mund ta kuptojnë situatën apo edhe nuk e njohin atë.

“Nëse jeni vërtet të vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur viteve të kaluara në ato vende atëherë nuk duhet të lejoni të ketë ndryshim të kufijve. Nëse kjo ndodhë atëherë shënon fillimin e fundit. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur në këtë rajon. Shumë politikanë të sotëm evropianë nuk kanë qenë pjesë e politikës në vitet e 90-ta prandaj edhe nuk mund ta kuptojnë situatën apo thjesht nuk e njohin atë. Por ata që kanë njohuri se çfarë ka ndodhur aty, ata që e njohin rajonin dhe mentalitetin e tij, duhet të jenë shumë të kujdesshëm” ka thënë ajo.

Përveç tjerash, Pack ka thënë se për të është e pakuptueshme sesi presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi janë pro kësaj politike.

“Ajo që po luhet tani nuk është në interesin e Kosovës, 95 për qind e qytetarëve të Kosovës janë kundër ndryshimit të kufijve. Unë shpresoj se zgjidhja do të gjendet, por jo në ndryshimin e kufirit”, ka shtuar ndër të tjera Pack.

Duke folur për ndikimin e Rusisë në rajon, ish-deputetja Pack, e cila njëherësh ka qenë edhe raportuese e Parlamentit Evropian për Bosnje Hercegovinën, ka thënë se Rusia nuk ka interes për të ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit.

“Rusia ka interesa egoiste, në kuptimin se ajo nuk dëshiron që këto vende të jenë pjesë e NATO-s. Dështoi me Malin e Zi, por nuk do të ketë sukses as me Maqedoninë. Ajo përdor interesin e BE-së në Ballkan për të shkaktuar ndonjë problem” ka vlerësuar ajo.

XS
SM
MD
LG