Ndërlidhjet

SHBA: Kosova të intensifikojë luftën kundër korrupsionit


Flamuri amerikan

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-ve (MCC) ka kërkuar nga Kosova që të vazhdojë të tregojë përparim në luftën kundër korrupsionit në mënyrë që të vazhdojë me marrjen e financimit nga MCC-ja.

Gjatë javës së kaluar një delegacion i MCC-së, i udhëhequr nga zëvendëskryetarja e Departamentit për Çështje Kongresionale dhe Marrëdhënie me Publikun, Karen Sessions, u takua me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe me udhëheqës nga sektori privat.

“Kosova duhet të vazhdojë të tregojë përparim kundër korrupsionit në mënyrë që të marrë këtë financim dhe ndihmë”, u tha në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Delegacioni i MCC-së dhe autoritetet kosovare, më tej, thuhet se kanë diskutuar qasjen e MCC-së në luftën kundër varfërisë përmes rritjes ekonomike.

“Një faktor që frenon rritjen ekonomike është korrupsioni lidhur me të cilin rangimi global i Kosovës është i ulët. Kosova duhet të ri-përzgjidhet nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së çdo vit të zhvillimit kompakt, dhe do të vlerësohet përmes fletënotimit të MCC-së që përmban një vlerësim të përpjekjeve për reduktimin e korrupsionit”, u tha në njoftim.

Aktualisht MCC, në Kosovë është duke përkrahur investimet në efikasitetin e energjisë dhe punësimin e femrave në sektorin e energjisë, si dhe shtimin e të dhënave publike për gjyqësinë, mjedisin, dhe fuqinë punëtore.

MCC është një agjenci qeveritare amerikane e asistencës së jashtme e themeluar nga Kongresi në vitin 2004.

Përzgjedhja e shteteve që përfitojnë nga asistenca e MCC-së bazohet në një proces rigoroz që matë progresin e arritur në 20 indikatorë të pavarur dhe objektivë, në fushat si: liritë ekonomike, të drejtat demokratike, kontrolli i korrupsionit, sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe investimit në njerëz.

XS
SM
MD
LG