Ndërlidhjet

Zyrtarët e lartë amerikanë takojnë Thaçin dhe Haradinajn


Ilustrim
Ilustrim

Zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara, drejtori për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath, si dhe drejtori për Ballkanin në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Brad Berkley po vizitojnë Kosovën ku gjatë ditës kanë zhvilluar një takim të përbashkët me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Sipas një komunikate nga zyra e Presidentit të Kosovës, zyrtarët e lartë amerikanë kanë “përsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Gjatë takimit, sipas njoftimit, presidenti Thaçi i ka siguruar zyrtarët e lartë amerikanë se "me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë me SHBA-në".

“Institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin së më shpejt veprime konkrete në përputhje më këshillat miqësore të SHBA-së. Këto vendime duhet të jenë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të bashkëpunimit strategjik me SHBA-në dhe me përkushtimin tonë shtetëror për dialog dhe marrëveshje paqësore”, ka thënë presidenti Thaçi, thuhet në komunikatë.

Më herët, edhe Qeveria e Kosovës, njoftoi për takimin, duke cituar kryeministrin Ramush Haradinaj të ketë thënë gjatë takimit se “Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara para vizitës në Prishtinë qëndruan në Beograd mirëpo nuk kanë dhënë detaje për qëllimin e vizitës. Në bazë të raportimeve të mediave serbe, zyrtarët serb kanë thënë se me delegacionin amerikan kanë biseduar për çështjen e tarifës dhe bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vizita e zyrtarëve të lartë amerikanë vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të pezullohet tarifa ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës në mënyrë që t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj që vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po kundërshton pezullimin e tarifës përderisa partneri tjetër i koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës që e udhëheq kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka propozuar pezullimin e saj në kohëzgjatje prej 120 ditësh.

XS
SM
MD
LG