Ndërlidhjet

McAllister kërkon pezullimin e taksës doganore


 David McAllister
David McAllister

Një grup i eurodeputetëve, i kryesuar nga kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister u takuan sot me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Enver Hoxhaj.

Pas takimit, gjatë një konference për media, McAllister i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të pezullojë taksën doganore prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, në mënyrë që dialogu në Bruksel të vazhdojë.

“Sipas pikëpamjes sonë, pezullimi i tarifës do të jetë rruga drejt suksesit. Ne kemi qenë shumë të qartë lidhur me këtë dhe kemi ripëritur mesazhin në këto dy ditë të qëndrimit në Prishtinë. Mes arsyeve tjera kjo është një shkelje e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe po ashtu është shkelje e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Prandaj, ne nuk besojmë se ky është vendimi i duhur, i drejtë”, tha McAllister.

I pyetur se a ta mbështeste një shkëmbim të mundshëm të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mund të dilte nga marrëveshja eventuale mes dy vendeve, McAllister tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i tij personal është që për ta do të ishte e pranueshme një marrëveshje që bien dakord të dyja palët.

“Lidhur me debatin për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, Parlamenti Evropian vëren që debati lidhur me korrigjimin e kufirit, përfshirë dhe shkëmbimin e territoreve, Parlamenti Evropian nënvizon natyrën multietnike të Kosovës dhe Serbisë dhe kjo gjendje multientike nuk duhet të hidhet poshtë dhe ajo duhet të mbrohet. Parlamenti Evropian kosndeiron se kjo marrëveshje do të jetë e pranueshme vetëm nëse për këtë ka pajtim të dyanshëm, duke marrë parasysh stabilitetin në tërësi në rajon dhe të drejtën ndërkombëtare. Ky është pozicioni i Bashkimit Evropian dhe i imi. Por, e kuptoj se kanclearja gjermane (Angela Merkel) ka shprehur se ka opinion paksa më ndryshe”, tha McAllister.

Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të pezullojë taksën, e cila është në fuqi që nga nëntori i vitit të kaluar. Por, kryeministri Ramush Haradinaj po këmbëngulë që kjo tarifë do të jetë në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, tha se në takim me eurodeputetët kanë folur për tri çështje: liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, dialogun me Serbinë dhe tarifën doganore.

Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Hoxhaj tha se ka vërejtur pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, që pritet të mbahen në maj, mund të “krijohet një rrethanë e re”.

“E fitova një përshtypje që pas zgjedhjeve të Bashkimit Evropian në maj të 2019, mund të krijohet një rrethanë e re në verën e këtij viti, që të merret një vendim pozitiv”, tha Hoxhaj.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza në zonën Schengen.

XS
SM
MD
LG