Ndërlidhjet

Haradinaj: Thaçi të mos mendojë se mund ta mashtrojë më Kosovën


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi, që të, siç u shpreh ai “mashtrojë” Kosovën me idenë për korrigjim të lehtë të kufirit me Serbinë.

“Vija kufitare me Serbinë, nëse do të jetë korrigjim i lehtë, mundet të mos jetë aq i lehtë. I bëj thirrje presidentit tonë, Hashim Thaçi që të mos mendojë se mund ta mashtrojë më Kosovën, as me korrigjim të lehtë. Shënjimi i kufirit mes dy shteteve është proces që vjen pas njohjes. Kufiri ynë ekziston, policia jonë e patrullon. Pra, nuk ka korrigjim, e në emër të korrigjimit të na e luajnë lojën, siç na e kanë luajtur lojën me Malin e Zi”, tha Haradinaj.

Këto komente Haradinaj i bëri në Deçan, ku mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të partisë së tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj po ashtu tha se Kosova do të ruajë kufijtë ekzistues të shtetit.

“Sa do vështirë që do të jetë, që t’i ruajmë kufijtë e Kosovës, të 17 shkurtit, ju siguroj se nuk ka kush që i prek, nuk mundet askush t’i prek”, tha Haradinaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka proklamuar idenë e tij të ndryshimit të kufirit me Serbinë, apo siç e quan ai “korrigjim” të tij, duke thënë se komuna e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do t’i bashkohen territorit të Kosovës.

Kundër idesë së ndryshimit të kufirit me Serbinë janë shprehur edhe partitë opozitare. Kryeministri Haradinaj në të kaluarën ka deklaruar se kufijtë e një shteti ndryshohen vetëm me luftë.

XS
SM
MD
LG