Ndërlidhjet

Thaçi: Korrigjim kufiri, por jo shkëmbim e ndarje të Kosovës


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se është pro korrigjimit të kufirit me Serbinë, por sipas tij, ai nuk do të lejojë që të diskutohet për shkëmbime territoresh e as ndarje të Kosovës.

“Ideja e shkëmbimit të territoreve është një ide e keqe, është pazar gjë të cilën nuk do të lejojmë të ndodhë, as që do të lejojmë që dikush (këtë ide) ta shtrojë në tavolinë. As që do të lejomë që dikush të diskutojë për çështjen e ndarjes së Kosovës. Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të paprekshëm".

"Korrigjimi i kufirit po, me një shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe me përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën. Kjo aspiratë e imja tejkalon kornizat kushtetuese, por për bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit natyrisht se do të punoj për të ndryshuar Kushtetutën, me të gjitha partitë politike. Ndryshimi i Kushtetutës nuk është fundi i botës”, tha Thaçi, gjatë një adresimi për media nga qyteti i Prizrenit.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, porositi presidentin Thaçi, që siç u shpreh ai të mos e “mashtrojë” Kosovën, me idenë për “korrigjim të lehtë” të kufirit.

Presidenti Thaçi ka pranuar një letër nga ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden, e cila sipas tij, lë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara mbështetë “fuqishëm Kosovën”.

“Nga letra e presidentit (të SHBA-së, Donald) Trump dhe nga letra e sotme e ish-zëvendëspresidentit Biden një gjë mund të kuptojmë, Amerika unike, e bashkuar, qëndron përkrah dhe në mbështetje të fuqishme të Kosovës. Kosova nuk ka rrugë tjetër, përpos ruajtjes, kultivimit dhe respektimit të këshillave të SHBA-së”, tha Thaçi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë që Kosova të pezullojë taksën doganore prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Por, kryeministri Haradinaj po insiston se taksa do të hiqet kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG