Ndërlidhjet

SHBA: I hiqet nënshtetësia amerikane një gruaje nga Bosnja


U.S. -- The US flag flies at the Capitol in Washington, DC, 20Jan2009
U.S. -- The US flag flies at the Capitol in Washington, DC, 20Jan2009

Një gjykatë në Shtetet e Bashkuara ia ka hequr nënshtetësinë një gruaje myslimane, e lindur në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila ka fshehur përfshirjen e saj në krimet gjatë luftërave të fillim viteve të 90-ta në ish-Jugosllavi.

Departamenti i Drejtësisë në SHBA tha se gjyqtari, Marco Hernandez, më datë 1 mars, ia anuloi nënshtetësinë gruas së quajtur, Sammy Rasema Yetisen.

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara thanë se Yetisen, e njohur gjithashtu si Rasema Handanoviq apo Zolja, ishte pjesë e një njësie elite të ushtrisë së Bosnje-Hercegovinës që sulmoi fshatin Trusina më 16 prill 1993.

Ata thanë se sulmi që njihet edhe si masakra e Trusinës, ka shënjeshtruar kroatët e Bosnjës “për shkak të besimit të krishterë dhe përkatësisë etnike kroate”.

Yetisen u pranua në Shtetet e Bashkuara si refugjate dhe u bë shtetase e natyralizuar në vitin 2002, në një procedurë të ngjashme si një person tjetër, poashtu nga Bosnja, Edin Xheko.

Pas akuzave për përfshirjen e tyre në vrasjet e Trusinas, Xheko dhe Yetisen u ekstraduan në Bosnje dhe u dënuan nga një gjykatë për krime lufte. Ajo ishte gruaja e parë e dënuar nga një gjykatë boshnjake e krimeve të luftës.

Yetisen bashkëpunoi me autoritetet, duke dëshmuar kundër Edin Xhekos. Ajo u lirua pasi mbajti 5 vjet e gjysmë dënimin me burg në Bosnjë dhe pas lirimit u zhvendos sërish në shtetin e Oregonit të SHBA-së.

Edin Xheko, i cili u dënua në vitin 2014, mbetet në një burg në Sarajevë ku po vuan dënimin 13-vjeçar.

Në fillim të viteve të 90-ta, lufta e Bosnjës rezultoi me vdekjen e rreth 100,000 njerëzve dhe zhvendosjen e rreth 2,6 milionë të tjerëve.

XS
SM
MD
LG