Ndërlidhjet

Shefi i OKB-së kërkon negociata të drejtpërdrejta mes Qeverisë afgane dhe talibanëve


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka bërë thirrje për bisedime direkte në mes të Qeverisë afgane dhe talibanëve, duke thënë se paqja mund të arrihet vetëm përmes “dialogut gjithpërfshirës brenda Afganistanit”.

Në një raport të Këshillit të Sigurimit, që ka qarkulluar më 7 mars, Guterres ka thënë se përparimi i tanishëm është tregues “i mundësisë më të mirë” për t’i dhënë fund luftës 17-vjeçare.

Ai ka shtuar se një marrëveshje paqësore e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes dialogut”.

“Unë bëj thirrje për nisjen e bisedimeve të drejtpërdrejta, me shpresën e përfundimit të konfliktit dhe ndaljen e vdekjeve të njerëzve”, ka thënë ai.

Guterres ka përmendur përparimin e arritur në bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe talibanëve në Katar dhe ka shfaqur shpresën se ky proces do të rezultojë me bisedime direkte mes Kabulit dhe grupit militant.

Talibanët kanë refuzuar deri më tani që të negociojnë me Qeverinë afgane, duke kërkuar që fillimisht të tërhiqen trupat e huaja nga territori i Afganistanit.

Shtetet e Bashkuara kanë intervenuar në Afganistan më 2001, pasi Qeveria e udhëhequr nga talibanët ka mbrojtur terroristët e Al-Kaidës dhe Osama bin Laden, cili ka organizuar sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Talibanët janë larguar nga pushteti mirëpo ata kanë tentuar vazhdimisht që të përmbysin Qeverinë e Kabulit.

XS
SM
MD
LG