Ndërlidhjet

O'Connell deklaron se nepotizmi po dëmton procesin e punësimit në Kosovë


Pamje nga konferenca e sotme në Prishtinë.

Emërimet dhe punësimet mbi bazën e familjarizmit, dëmtojnë rëndë punësimin e kuadrove profesionale në Kosovë, ka deklaruar të hënën ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O'Connell.

Ai i bëri këto komente, në konferencën për shënimin e trevjetorit të Memorandumit të Mirëkuptimit për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese në mes të Ambasadës Britanike dhe institucioneve të Kosovës.

Ambasadori britanik tha se qasja e institucioneve të Kosovës në favor të nepotizmit ndikon në penalizmin e profesionalitetit, çka rrjedhimisht, sipas tij, dëmton punësimin mbi bazën e meritave në pozitat e larta drejtuese.

O'Connell tha se dështimi i këtij projekti është përgjegjësi e politikanëve në Kosovë.

"Vitin e kaluar në konferencën e njëjtë pata deklaruar se projekti po shkon më mirë se që kemi pritur. Për fat të keq, këtë vit nuk mund ta them të njëjtën gjë. Në fakt kemi kthim prapa. Kemi raportime shqetësuese për interferim në proces. Falsifikimi i dokumenteve për të përmbushur kriteret formale, konflikti i interesit mes panelit dhe kandidatëve të intervistuar apo thjesht në favor të një kandidati, zakonisht i paracaktuar ta fitojë pozitën", tha O'Connell.

Memorandumi ishte nënshkruar në vitin 2016, nga Ambasada britanike në Kosovë me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, për siç thuhet, pavarësimin e bordeve të agjencive të pavarura.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e ka mohuar se gjatë proceseve të rekrutimit janë shënuar dëme.

"Duhet ta pranojmë që kemi edhe lëshime, kemi edhe dëme me të cilat duhet të përballemi, por e falënderojmë Ambasadën britanike për trajtimin e këtyre dëmeve. Deri tani 44 pozita të larta janë realizuar me partneritetin me ambasadën britanike dhe jemi pajtuar që të vazhdojmë edhe më tutje për pozitat që kemi para nesh", tha Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli bëri thirrje për parandalimin e emërimeve jomeritore, pasi sipas tij, kjo po ndikon në largimin e të rinjve nga Kosova.

"Situatën nuk e kemi aq mirë me emërimet, për shkak se besimi i qytetarëve nuk është i duhur dhe kur nuk ka besim, kemi një ftohje të tyre dhe prirje për t'u larguar nga Kosova. Kjo nuk i duhet Kosovës, aq më tepër kur numri i popullatës po zvogëlohet dita e ditës. Unë inkurajoj shoqërinë civile, mediat, si dhe bartësit e institucioneve, që të bëhen më të zëshëm në ndalimin e tyre për shkak se do ta shkatërrojnë perspektivën tonë", tha Veseli.

Emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një ndër proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, e së fundmi, edhe nga faktori ndërkombëtar.

Së fundi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar lidhur me emërimin nga Kuvendi i Kosovës, të Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të kësaj agjencie, në shenjë pakënaqësie për emërimin e Shalës, duke e konsideruar se ai nuk i ka përmbushur kriteret.

XS
SM
MD
LG