Një sulm më granatë dore ka ndodhur në konsullatën e Rusisë në Athinë.
Nga sulmi janë shkaktuar dëme të vogla por nuk ka pasur pasoja në njerëz, njoftoi policia greke.
Sulmuesit, hodhën granatën e dorës nga një motoçikletë. Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Raportohet se policia e ka rrethuar zonën dhe ka dërguar njësi speciale të deminimit në konsullatë.
Granata shpërtheu nën kabinën e rojeve të sigurisë.
Policia dyshon se sulmi është kryer nga militantët e grupit të majtë të quajtur Grupi i Luftëtarëve Popullor.
Ky grup kishte marrë përgjegjësinë për sulmin me bombë në zyret e një televizioni dhe gazete greke në dhjetor të vitit 2018.
Ministria e Jashtme e Greqisë tha se e “dënon fuqishëm” sulmin në konsullatën ruse.
Në vitin 2016 një roje i sigurisë ishte lënduar gjatë një sulmi të ngjashëm ndaj ambasadës franceze në Athinë.