Ndërlidhjet

KS i OKB-së do të diskutojë vendimin e SHBA-së për Lartësitë Golan


Salla e takimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Salla e takimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet të mërkurën, me kërkesë të Sirisë, për të diskutuar vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për të njohur sovaranitetin e Izraelit në Lartësitë Golan.

Izraeli ka pushtuar Lartësitë Golan nga Siria më 1967 në një luftë në Lindje të Mesme dhe ka aneksuar këtë zonë më 1981, ndonëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së e pati cilësuar këtë hap “pa ndonjë efekt ligjor ndërkombëtar”.

Në një letër drejtuar 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, Siria e ka përshkruar vendimin e Shteteve të Bashkuara si “shkelje flagrante” të rezolutës së këtij Këshilli.

Trump, i shoqëruar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu në Uashington, ka nënshkruar të hënën një dokument, përmes së cilit i ka njohur Izraelit sovranitetin në Lartësisë Golan.

Anëtarët evropianë në këtë Këshill, Franca, Britania, Gjermania, Belgjika dhe Polonia, kanë thënë të martën se nuk njohin sovranitetin e Izraelit në këtë territor dhe kanë ngritur shqetësime rreth “pasojave tjera” që mund të sjellë njohja e këtij aneksimi ilegal.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Katari dhe Kuvajti, kanë kritikuar të martën vendimin amerikan, duke thënë se territori është pushtuar në tokën arabe.

XS
SM
MD
LG