Ndërlidhjet

Seancë e jashtëzakonshme për kompensimin e orëve të humbura mësimore


Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten seancë të jashtëzakonshme lidhur me çështjen e kompensimit të orëve të humbura të mësimit gjatë 15 ditëve të grevës së mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë në fillim të këtij viti.

“Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e 42 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme. Pas mbledhjes së Kryesisë, në orën 11:00 Kuvendi pritet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme”, thuhet në një njoftim të dërguar nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit të Kosovës.

Çështja e kompensimit të orëve të humbura mësimore gjatë grevës së mësimdhënësve ka mbërritur edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK) ka dorëzuar padi ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyçi, i cili përmes një vendimi ka kërkuar kompensimin e këtyre orëve.

Vendimi i ministrit Bytyqi ka hyrë në fuqi në fillim të këtij muaji, por ai nuk është respektuar nga shumica e shkollave fillore dhe ato të mesme.

Mësimdhënësit në Kosovë më 14 janar patën nisur grevën, e cila zgjati për tri javë, me kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave për 30 për qind. Greva ishte ndërprerë pas marrëveshjes me institucionet përgjegjëse, se Ligji i ri për paga do të përafrojë kërkesën e tyre.

Ligji i ri për paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin shkurt.

XS
SM
MD
LG