Ndërlidhjet

Instituti serb: Shumica e qytetarëve serbë e konsiderojnë Kosovën të humbur


Flamuri i Kosovës dhe ai i Serbisë.
Flamuri i Kosovës dhe ai i Serbisë.

Shumica e qytetarëve serbë mendojnë se Serbia e ka humbur Kosovën dhe nuk mund ta kthejë sërish sovranitetin e saj, është thënë në gjeturat e një hulumtimi, që ka realizuar Instituti për Çështje Evropiane në Beograd.

Respodentët besojnë se Qeveria serbe nuk do ta njohë Kosovën dhe nëse do të organizohej ndonjë referendum i mundshëm, do të votonin kundër njohjes së saj.

Sipas të dhënave të publikuara, 47 për qind e të intervistuarve kanë thënë se Kosova është e humbur, 41 për qind mendojnë të kundërtën ndërkaq 12 për qind nuk kanë pasur përgjigje.

Qytetarët serbë që mendojnë se Serbia e ka humbur Kosovën, sipas këtij hulumtimi, janë të moshës ndërmjet 30 dhe 60 vjeçare, me nivel arsimimi të mesëm apo të lartë, si dhe jetojnë kryesisht në të gjitha rajonet e Serbisë, përjashtuar pjesën jugore dhe lindore të vendit.

Në pyetjen se si do të votonin nëse nesër organizohet një referendum për çështjen e pavarësisë së Kosovës, 74.5 për qind kanë thënë se do të votonin kundër. Në të mirë të pavarësisë do të votonin 6.2 për qind.

Në hulumtim janë përfshirë 1,207 qytetarë, i cili është realizuar në periudhën ndërmjet 8 dhe 14 marsit të këtij viti.

Qytetarët në përgjithësi janë përgjigjur se nuk kanë marrë pjesë në dialogun e brendshëm për Kosovën dhe ata nuk e dinë se çfarë nënkuptohet me përcaktimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mirëpo, shumica kanë thënë se janë kundër këtij propozimi.

Hulumtimi tregon se 57 për qind e qytetarëve nuk e dinë çfarë do të thotë ideja e përcaktimit të kufijve. Rreth 29 për qind me përcaktim të kufijve e nënkuptojnë ndarjen, përmes së cilës veriu i Kosovës do t’i takonte Serbisë ndërkaq Lugina e Preshevës do të bashkohej me Kosovën.

Sa i përket anëtarësimit të mundshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian, 78 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk e mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës në këmbin të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në bllokun evropian.

XS
SM
MD
LG