Ndërlidhjet

Ushtria ukrainase thotë se është “përshkallëzuar” situata në lindje të vendit


Ushtarë ukrainas në lindje të vendit. Fotografi nga arkivi.
Ushtarë ukrainas në lindje të vendit. Fotografi nga arkivi.

Një ushtar ukrainas është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur, në atë që ushtria ukrainase e quajti përshkallëzim të sulmeve nga separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Vrasja e ushtarit vjen vetëm një ditë para se në Ukrainë të mbahen zgjedhjet presidenciale.

Përmes një deklarate, ushtria ukrainase tha se situata në rajon “është përshkallëzuar ndjeshëm” në 24 orët e fundit, duke akuzuar rebelët se kanë përdorur armatim të rëndë, i ndaluar sipas marrëveshjes për paqe të arritur në Minsk.

Ushtria ukrainase tha se forcat e saj kanë vrarë katër luftëtarë separatistë dhe kanë plagosur edhe gjashtë të tjerë.

Që prej prillit të vitit 2014, rreth 13 mijë njerëz janë vrarë në luftimet ndërmjet forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, të cilët kontrollojnë rajonin e Donetskut dhe Luhanskut.

Marrëveshjet e armëpushimit, që kanë qenë pjesë e marrëveshjes së Minskut kanë kontribuar në reduktimin e luftimeve, por ato nuk janë respektuar plotësisht.

Të dielën, 39 kandidatë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, por vetëm tre prej tyre, sipas sondazheve, kanë gjasa për fitore : presidenti aktual, Petro Poroshenko, ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko, dhe aktori Volodymyr Zelenskyy.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk arrin të fitojë 50 për qind të votave në raundin e parë, dy kandidatët që kanë arritur të fitojnë më së shumti vota do të përballen në raundin e balotazhit, që është planifikuar të mbahet më 21 prill.

XS
SM
MD
LG