Ndërlidhjet

SBASHK: S’ka kompensim të orëve, pushimi pranveror do të nisë më 1 prill


Greva në sistemin e arsimit.
Greva në sistemin e arsimit.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kosovës (SBASHK), sërish ka përsëritur se nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura mësimore gjatë grevës tri javore të mësimdhënësve dhe se pushimi pranveror do të nisë nga 1 prilli dhe do të zgjasë deri më 5 prill.

“SBASHK-u përsërit se pushimi pranveror nga data 1 deri më 5 prill 2019 do të fillojë sipas Kalendarit shkollor 2018-2019, aprovuar në fillim të vitit shkollor, pra, s’ka zëvendësim të orëve të humbura as gjatë pushimit pranveror, e as vikendeve. SBASHK njofton edhe prindërit edhe nxënësit, por edhe opinionin e gjerë se mësimdhënësit pavarësisht a janë në vendin e punës a jo, zhvillim të procesit mësimor për t’i zëvendësuar ditët e humbura të grevës nuk do të ketë”, thuhet në komunikatën për media të SBASHK-ut.

Sistemi i arsimit, hyri në grevë të përgjithshme për tri javë, duke kërkuar rritje të pagave për mësimdhënësit në koeficientin prej 30 për qind. Por, greva u ndërpre pasi drejtuesit e SBASHK-ut arritën marrëveshje me drejtuesit e institucioneve, që kërkesa e tyre për rritje pagash të përfshihej në Ligjin e pagave. Ky ligj ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin shkurt.

Pas ndërprerjes së grevës, më 26 shkurt ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në Qeverinë e Kosovës, Shyqiri Bytyçi kishte marrë vendim që orët e humbura mësimore të kompensohen.

Por, SBASHK-u po e kundërshton këtë vendim të MASHT-it, duke thënë se nuk ka bazë ligjore. Kundër këtij vendimi, kjo sindikatë ka dorëzuar padi në gjykatë.

XS
SM
MD
LG