Ndërlidhjet

Pelosi: Biden nuk duhet të përjashtohet nga gara për president


Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja, Nancy Pelosi

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja, Nancy Pelosi, tha se ish-nënpresidenti, Joe Biden, nuk duhet të përjashtohet nga gara për president, pas pretendimeve se ai ka prekur gratë në mënyrë të papërshtatshme.

Megjithatë ajo tha se “Biden duhet ta kuptojë se hapësira e njerzve është e rëndësishme”.

Ish-nënpresidenti, Joe Biden, po shqyrton mundësinë e kandidimit për president të SHBA-së në zgjedhjet e vitit 2020.

Mirëpo, ditët e fundit, dy gra e kanë akuzuar atë se i ka prekur ato në mënyrë të papërshtatshme.

Reagime ka pasur edhe nga zyrtarë tjerë demokratë.

Senatorja demokrate, Elizabeth Warren, e cila e ka shpallur kandidaturën për president, tha se Biden “duhet të përgjigjet ndaj pretendimeve”.

Një tjetër demokrat që ka shpallur kandidaturën për president, senatori Amy Klobuchar, tha se në politikë “njerëzit ngrisin çështje dhe ato duhet të adresohen”.

Në përkrahje të ish-nënpresidentit Biden ka dalur ish-ndihmësja e tij, Cynthia Hogan e cila i tha New York Times se Biden “ka pasur trajtim të mirë dhe me respekt për stafin si dhe ka këmbëngulur që edhe të tjerët të veprojnë njëjtë”.

Cilat janë akuzat?

Një grua tjetër akuzoi ish-nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për sjellje të pahijshme.

Amy Lappos, ndihmëse e një kongresisti demokrat, tha se Biden i ka prekur fytyrën me të dyja duart dhe se ka fërkuar hundën e tij me të sajën, dhjetë vjet më parë.

Akuzat vijnë pasi Lucy Flores, ish-anëtare e Asamblesë së Nevadës, tha se Biden e ka puthur atë në pjesën e prapme të kokës, në një ngjarje politike.

Si është përgjigjur Biden?

Joe Biden tha se nuk beson se ka vepruar ndonjëherë në mënyrë të papërshtatshme.

Pas akuzave të para kundër tij, Biden tha se është i gatshëm "të dëgjojë me respekt".

Biden, ish-senator i Dellauerit, i cili ka shërbyer si nënpresident i SHBA-së gjatë dy mandateve të presidentit Barack Obama, shihet si kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA.

Mëgjithatë, një aleat i tij i tha CNN-it se Biden nuk po e rishqyrton kandidimin për Shtëpinë e Bardhë pas akuzave kundër tij.

XS
SM
MD
LG