Ndërlidhjet

Kanadaja po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës


Ilustrim
Ilustrim

Kanadaja po ngrohet mesatarisht me një ritëm dy herë më të shpejtë se pjesa tjetër e botës, thuhet në një raport të ri shkencor.

Raporti për klimën i qeverisë federale thotë se ndryshimet tashmë janë të dukshme dhe se ato pritet të intensifikohen.

Ndikimi më i madh vërehet në Arktikun e Kanadasë. Ngrohja në këtë pjesë do të vazhdojë edhe më tutje me dyfishin e nivelit global të ngrohjes.

Raporti thotë se shumë nga efektet e vërejtura tashmë mund të jenë të pakthyeshme.

Temperatura mesatare vjetore e Kanadasë është rritur me rreth 1.7C që nga viti 1948, kur u regjistruan për herë të parë temperaturat në mbarë vendin.

Temperatura mesatare vjetore në Kanadanë Veriore u rrit me rreth 2.3C.

"Është e mundur që më shumë se gjysma e ngrohjes në Kanada është pasojë e aktiviteteve njerëzore", thuhet në raport.

Raporti u publikua pasi qeveria vendosi taksat e karbonit në katër nga 10 provincat e Kanadasë për shkak se ato nuk prezantuan planet e tyre për t'u marrë me ndryshimet klimatike.

Cilat janë efektet e kësaj ngrohje?

Ndër efektet kryesore të kësaj ngrohje konsiderohet të jetë moti ekstrem në Kanada.

Temperaturat e nxehta mund të nënkuptojnë rrezik më të madh nga zjarret dhe thatësira në disa pjesë të vendit.

Oqeanet priten të mbesin me më pak oksigjen, gjë që mund të dëmtojë jetën detare.

Pjesët e Oqeanit Arktik të Kanadasë parashikohen që për disa dekada të kenë periudha të gjata akulli gjatë verës.

Një rritje në nivelet e detit mund të rrisë rrezikun e përmbytjeve bregdetare dhe reshjet intensive mund të shkaktojnë probleme me përmbytjet në qendrat urbane, raporton BBC.

XS
SM
MD
LG